Transmetuar më 03-11-2018, 09:43

Zëvendës Presidenti i Parlamentit Europian, njëherësh deputet i partisë së Kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, Dimitrios Papadimoulis, reagon lidhur me vrasjen e minoritarit Konstandinos Kacifas, në Bularat të Gjirokastrë.

Ai thotë se Greqia si anëtarja më e vjetër e familjes europiane në Ballkan dhe më e fuqishme, duhet të udhëheqë në mënyrë që rrethana të tilla të trishtuara të trajtohen me kujdes dhe seriozitetin e duhur.

Sipas tij, ajo që tani ka rëndësi është te ulen tonet, për të ndaluar lojën politike nga të dy anët e kufirit dhe për të siguruar pjesëmarrjen aktive greke për të sqaruar rrethanat në të cilat u vra Konstandinos Kacifas.

Duke folur për mediat greke ai thotë se Kacifas kishte pikëpamje ekstreme.

“Me sa duket kishte kallashnikovin dhe qëlloi dhe të gjithë në Tiranë apo Athinë janë kundër dhunës kudo që ajo vjen ajo, dhe kundër luftës së armatosur për të arritur objektiva politike, nuk duhet të bëjmë hero një njeri. Për ne është prioriteti i parë, dhe unë i them shtetit grek dhe shoqërisë greke, dy gjëra: së pari të sqarohet nëse Kacifas mund të neutralizohej pa u vrarë dhe e dyta te shmanget ky ping pong aciditeti dhe deklarata qe përkeqësojnë marrëdhëniet dhe jetën e minoritetit grek në Shqipëri”, deklaron Papadimoulis.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al