Transmetuar më 06-11-2018, 11:00

Kryedemokrati Lulzim Basha bashkëbisedoi me banorët e Pirgut në bashkinë e Maliqit, për alternativën e opozitës për ringritjen e bujqësisë.

Ai tha se ajo mbështetet në tre shtylla, subvencionet direkte, investimet në infrastrukturë dhe mbrojtjen e prodhimit vendas me tarifat doganore.

“Në rastin e bujqësisë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Politikat për të mbështetur bujqësinë funksionojnë njësoj, si në Europë, edhe të fqinjët tanë, Maqedonia dhe Kosova. Buxheti ynë për subvencionet vitin e parë do të jetë 150 milionë euro dhe do të vazhdojë duke u rritur sipas projeksionit tonë, siç do të vazhdojë të rritet edhe prodhimi i bujqësisë shqiptare”, u shpreh Basha.

Duke bërë një krahasim me fondet që parashikon buxheti 2019 vetëm për një grusht koncesionesh korruptive në pronësi të qeverisë apo klientë të saj sipas tij, Basha tregoi edhe burimin e financimit për ringritjen e bujqësisë.

“100 milionë euro do të harxhojë vitin e ardhshëm, po e lamë, vetëm për 10 oligarkë Edi Rama. Vetëm për tre inceneratorët, që janë makina të prodhimit të parave, Arben Ahmetaj do të marrë 22 milionë euro për veten e tij, t’i fusë në xhepat e tij. Ne do t’i japim fund koncensioneve korruptive që na e kanë çuar kilometrin e rrugëve në 25 milionë euro”, tha Basha.

Pjesë e alternativës qeverisëse të opozitës është edhe rritja e pensioneve, paratë për te cilat do të gjenden sipas kryedemokratit, tek dhënia fund e abuzimit me tenderat që, vetëm vitin e kaluar llogariten në rreth 500 milionë euro.

Kryetari i opozitës i ftoi banorët e Maliqit t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur që vendin të mos e qeverisë pakica, por shumica reale e këtij vendi që përkrah projektet konkrete të opozitës për zhvillimin e vendit. /a.y/noa.al