Transmetuar më 08-11-2018, 18:25

Jose Mourinho, zgjodhi të festonte në mënyrën e tij origjinale fitoren me përmbysje të United.

I vendosur në mes të fushës së blertë, me dorën e vendosur në vesh, si për të replikuar dhe provokuar tifozët e bardhezinjve që e kishin ofenduar disa herë pa marrë asnjë kundërpërgjigje nga ai gjatë 90 minutave të takimit.

Gjesti ironik i Mourinhos është parë edhe nga Bonucci, që iu afrua për të kërkuar shpjegim, shpjegim të cilin Mourinho e dha në fund të takimit:

“Më fyen për 90 minuta, ndërkohë që unë erdha këtu vetëm për të bërë punën time, pa ngacmuar ndokënd. Tifozët nuk mund të më ofendojnë, mua as familjen time, që mbetet ajo interiste.

Ne bëmë një ndeshje të shkelqyer, në nivelin tonë maksimal, dhe nuk mund të bënim më mirë se kaq. Juventusi sigurisht që ka një potencial të madh dhe të ndryshëm nga yni, por ne e kërkuam fatin që nga minuta e parë, vonoi dhe mbërriti në minutat e fundit.

Fitorja shkoi për ne edhe pse barazimi ndoshta do të kishte qënë rezultati më i drejtë. Janë tri pikë shumë të rëndësishme për ne”.