Transmetuar më 09-11-2018, 13:40

Kryedemokrati Lulzim Basah u takua ditën e sotme me përfaqësinë e protestuesve tek Unaza e Re, ndërtesat e të cilëve preken nga projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe.

Në fjalën e mbajtur pas takimit, Basha tha se nuk ka asnjë ligj që të kërkojë prishjen e banesave.

Ai tha se banorët po vihen në presion të tmerrshëm psikologjik për prishjen e banesave të tyre. Sipas tij ajo që nisi me Teatrin Kombëtar tashmë po shkon në pragun e shtëpisë së shqiptarëve.

“Thirrja ime për gjithë shqiptarët, mos prisni që t’iu vijë e keqja në shtëpi. Dilni këtu në protestë dhe mbroni të drejtat tuaja dhe shtëpitë tuaja. Nuk ka asgjë të ligjshme, shteti ka shkelur ligjin, ministritë kanë shkelur ligjin, e vetmja gjë e ligjshme është protesta e tyre. Ndaj i garantova se ashtu siç kemi qenë pranë tyre qysh ditën e parë, ashtu do të jemi deri në fund. Kjo duhet të marrë fund njëherë e gjithmonë. Le të qëndrojmë këtu bashkë të bashkuar dhe po të bashkuar, le të shporrim shtetin që ka shkelur ligjin”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati vijoi duke shtuar se është fati i mbi 2 mijë banorëve të cilëve e keqja ju ka trokitur në derë dhe se është ndjerë i shokuar kur u ballafaqua me dramën e këtyre njerëzve.

Sipas tij, ata po persekutohen dhe po vihen në një presion të madh psikologjik.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Ndërkohë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro pak ditë më parë tha se kanë dalë në terren dhe kanë bërë vlerësimin paraprak.

“Nga ky kontroll na del se në total janë 317 objekte, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi, të cilat do të jenë të skualifikuar, 123 objekte janë me vërtetimi prone. Janë edhe objekte të tjera që nuk ka informacione të detajuara. Për objektet, kemi dy kategori objektesh, me dokumente pronësie dhe në proces legalizimi”, u shpreh ai.

I pyetur se kur do të nisë prishja e objekteve për lirimin e rrugës, ai tha se momentalisht po bëhet evidentimi i tyre dhe në momentin që të merret statusi i duhur nga Hipoteka, do të nisë prishja. /a.y/noa.al