Transmetuar më 09-11-2018, 14:41
Sander Lleshaj

Zëvendës ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, të parën deklaratë për media që nga marrja e detyrës me kompetenca ministri, e bëri ditën e sotme lidhur me zhvillimet në Bularat, ku gjatë funeralit të minoritarit grek Konstandinos Kacifas në Bularat, pati thirrje antishqiptare dhe më tej u bllokua aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë.

Ai komunikoi shpalljen persona “non grata”, ose të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi.

Ai tha se Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacenuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare;

e ndërgjegjshme për historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi, vendosi shpalljen e tyre si të padëshiruar.

Lleshi tha më tej se “Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj”. Gjatë kësaj të enjteje, në Bularat për të përcjellë për në banesën e fundit Kacifas, mbërritën me qindra shtetas grekë, të cilët nuk kursyen fjalët fyese dhe thirrjet antishqiptare.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al

"Kacifas", Rama, opozitës greke dhe shqiptare: Sulmi nga dy palë qirie Kadrinj, s’i duhen dreqit

“Kacifas”, opozita greke i përgjigjet Ramës: I hedh benzinë zjarrit

Bllokimi i rrugës pas funeralit të Kacifas, emrat e 14 të shoqëruarve, mes tyre ekstremisti grek

Thirrjet antishqiptare në Bularat, Bushati: Rrethanat përtej kontrollit, sjellja në fuqinë tonë