Transmetuar më 11-11-2018, 13:10

Kryeministri Edi Rama u ndal ditën e sotme për të inspektuar investimet e bëra në portin e Vlorës si dhe ato në Ujësjellës Kanalizime.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se porti duhet t’i shërbejë më së shumti turizmit dhe duhet të integrohet me Lungomaren, në mënyrë që të jetë i aksesushëm për të gjithë qytetarët.

“E gjithë sfida tani është të bëjmë planin rregullues të të gjithë zonës që të kthehet në një pjesë të qytetit e gjitha kjo. S’mund të jetë porti i izoluar nga qyteti. Pastaj të vazhdojmë me fazën tjetër të Lungomares, në krahun tjetër. Por këtu duhet të kemi një plan shumë shpejt që të na lidhet Lungomare me Bulevardin. Kjo është pikë fokale tani”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli tha se plani urbanistik ka parashikuar sistemimin e të gjithë zonës ndërmjet portit dhe Lungomares.

Teksa inspektoi ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve ku janë gati për përdorim flota e makineritë të reja, Rama e vlerësoi Vlorën një model zhvillimi, ku do të vijojnë investimet.

Ai siguroi se plazhi i Lungomares do të jetë një atraksion i vërtetë turistik, nëse garantohet përfundimisht zgjidhja e problemit shumëvjeçar të kanalizimeve.

Sipas tij, ajo që është pak, por e sigurtë është që gjithë plazhi i Lungomares do të jetë plazhi spektakolar dhe më i populluar dhe se që të bëhet plazhi më spektakolar dhe më i populluar, duhet garantuar përfundimisht zgjidhja e problemit 70 vjeçar të kanalizimeve.

Por sipas tij, me projektin e ri është adresuar problemi dhe se financimi është vënë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Menjëherë me fillimin e vitit do të hapet gara dhe pastaj do të fillojë puna për të stabilizuar gjithë ujërat e zeza, të gjithë zonës në krah të Lungomares, në mënyrë që uji i detit të ndahet përfundimisht nga ujërat e miletit dhe me atë ndarje të kemi popullim të plazhit dhe rritje të mëtejshme të ekonomisë së Vlorës nga turizmi. Kjo është gjë e madhe, ashtu sikundër gjithë kjo flota e makinerive speciale për mbajtjen nën kontroll të gjithë kanalizimeve, është një risi e mirëseardhur për Vlorën që është një model zhvillimi, ku do vazhdojmë të investojmë”, u shpreh Rama. /a.y/noa.al