Transmetuar më 20-11-2018, 13:35

Është mbajtur sot në gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, seanca gjyqësore ndaj të pandehurve të grupit “Lazarati 2”.

Kjo gjykatë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë të Krimeve të Rënda.

Kjo ka bërë që familjarët e të pandehurve, të sulmojnë gjyqtarët duke hedhur karrige ndaj tyre.

Ata pretenduan pafajësinë e familjarëve duke thirrur “Ky shtet është diktaturë”, “Komunistët po na vrasin përsëri”, “Ju vdekshin fëmijët”.

Më tej në dalje të gjykatës, ata kanë sulmuar edhe gazetarët që po raportonin.

Seanca e sotme u mbajt ndaj grupit të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e efektivit Ibrahim Basha.

Për këtë krim janë dënuar me burgim të përjetshëm Albion Aliko dhe Barjam Boçi.

Ndërkohë me 35 vite burg është dënuar Elvis Boçi, me 20 Alban Aliko, me 18 Elson Kasma, me 13 Klodian Selimi, me 10 Xhulio Malo, me 15 vite Dervish Gaba, Ruhan Hija dhe Iljaz Xhaferri dhe me 9 vite burg është dënuar Oltion Proko.

Kujtojmë se Ibrahim Basha u vra më 24 qershor të vitit 2015, teksa u qëllua me armë zjarri ndaj furgonit të policisë që ishte futur në fshat pasi kishte informacione se disa të rinj po përgatiteshin për veprime kriminale. /a.y/noa.al