Transmetuar më 20-11-2018, 19:50

Kryeministri Rama pritet të japë shpjegime në Parlament mbi situatën e krijuar me disa banorë të zonës së "Astirit", banesat e të cilëve janë parashikuar të prishen për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Re.

Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë ka paralajmëruar se për këtë çështje do të bëjë një sqarim në Parlament.

“Qysh nga prishja e parë masive në Parkun Rinia, u desh të kalonin mbi 15 vjet prishje për interes publik, që të protestohet me kërkesën për dëmshpërblim për ndërtimet pa leje në shtratin e rrugës! E dini pse? Kjo s’thuhet me një tweet, meriton një shtjellim të plotë para Kuvendit”, shkruan Rama.

Ndërkohë banorët duket se e kanë të panegociueshëm pretendimin e tyre për të marrë dëmshpërblim të plotë për banesat e tyre, edhe pse me mungesë dokumentacioni.

Ndërkohë, për këtë kategori, është përcaktuar qera 3-vjeçare apo edhe politika të tjera sociale. /k.k/noa.al/