Transmetuar më 21-11-2018, 15:46

Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës për 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

Një ditë pasi Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, ministri i Tregtisë së Kosovës, Endrit Shala propozoi që Serbisë t’i rritet taksa në 100% nga 10% që ishte më parë.

“Nga sot t’i vendoset masa 100% produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. Ka një asimetri të madhe sa i përket ofertave publike, ku kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë ligjërisht në ofertat publike në Serbi. Në anën tjetër ka më shumë se 100 oferta publike që kompanitë serbe kanë fituar në Kosovë.

Probleme të tjera ka shumë. Kosova nuk mund ta zhvillojë industrinë e saj të transportit dhe humb qindra vende pune, sepse kamionët e Kosovës nuk lejohen ta përdorin Serbinë si vend transit për në tregun e BE-së”, tha Shala, ndërsa vendimi u përkrah edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”-tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Vendimi i Kosovës  ka ardhur pas fushatës që po e bën Serbia ndaj pavarësisë  së Kosovës, dhe pengesës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.