Transmetuar më 22-11-2018, 18:45

Didier Drogba ish bomberi i Chelsea-it ka bërë publike tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur. 40-vjeçari ka shënuar 164 gola në 381 ndeshje për Chelsea-n, duke fituar 4 herë titullin në Angli dhe duke u shpallur kampion Europe në 2012, ku kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm.

Kohët e fundit Drogba ka luajtur në Amerikë, për Phoenix Rising, klub i divizionit të dytë, ku Drogba është bashkë-pronar.

Tërheqja e Drogba ishte paralajmëruar prej kohësh dhe që në fillim të muajit u fol për vendimin e marrë, por tashmë sulmuesi i jep fund zyrtarisht, me një postim në rrjetet sociale, ku shfaqet sulmuesi kur ishte shumë i ri në moshë.

“Kur mendoj për 20 vitet e fundit të karrierës sime profesionale, duke parë këtë fotografi ndihem më krenar se kurrë për ato që kam arritur si futbollist, por mbi të gjitha si më ka formuar si njeri ky udhëtim.

Falënderoj lojtarët, trajnerët, klubet dhe tifozët që ma kanë bërë këtë udhëtim kaq të këndshëm. Një faleminderit shumë të madhe dhe shumë dashuri për familjen time, skuadrën time personale që më ka mbështetur pa kushte gjatë gjithë karrierës”, u shpreh Drogba.