Transmetuar më 26-11-2018, 18:26

Shpenzimet dhe të ardhurat në futboll kanë pësuar një rritje eksponenciale dekadën e fundit, çka reflektohet në çmimet e palogjikshme në merkaton e futbollistëve apo në pagat faraonike të “yjeve” të kësaj loje të bukur.

Në këtë kontekst, Barcelona ka shënuar një rekord të ri, atë të skuadrës me pagën mesatare më të lartë në botë. Sipas një studimi të fundit të “Global Sports Salary Survey”, klubi katalan paguan mesatarisht për një nga 23 futbollistët e ekipit të parë plot 13.39 milionë dollarë në vit pa bonuset, çka do të thotë se pagat janë rritur me 33%.

Por cilat janë arsyet e kësaj rritjeje kaq të ndjeshme? E para që ka ndikuar është kontrata e re e Lionel Messit, por edhe nënshkrimet me lojtarë të tillë si Philippe Coutinho, Arthur, Malcom dhe Arturo Vidal, që kanë paga relativisht të larta.

Edhe rinovimi i marrëveshjeve me Gerard Pique, Sergi Roberto, Samuel Umtiti dhe Sergio Busquets është pasuar me rritje të pagës së tyre, për rrjedhojë edhe të pagës mesatare.

Në vend të dytë në renditjen e skuadrave sportive me paga më të larta është Reali i Madridit, me pagë mesatare 10.38 milionë në vit.

Në pozicionin e tretë dhe të katërt nuk janë ekipet e futbollit, por ato të NBA, Golden State Warriors dhe Oklahoma City Thunder, respektivisht me 10.06 dhe 10.02 dollarë euro në sezon për çdo lojtar.

Kampionati elitar i basketbollit, sipas supersport, NBA, mbetet në vend të parë për mesataren e pagave për të gjithë sportistët që marrin pjesë në këtë kompeticion me 7.56 milionë euro në sezon për çdo basketbollist të formacionit të parë.

Premier League është kampionati i futbollit me pagën mesatare më të lartë të formacionit titullar me 3.83 milionë dollarë në sezon. La Liga është rivalja më e afërt me 2.82 milionë, shifër që është rreth dyfishi i pagës mesatare në Itali (1.92 milionë dollarë).