Transmetuar më 01-12-2018, 11:44

Hetimi tatimor ka ushtruar kontroll në 2928 subjekte, ku janë konstatuar shkelje me vlerë prej rreth 51.9 milionë lekë.

Drejtoria e Hetimit Tatimor po vijon kontrollet në terren në qendrat e qyteteve kryesore në vend, me qëllim uljen e informalitetit, si dhe rritjen e të ardhurave.

Referuar të dhënave të kësaj drejtorie, gjatë periudhës 1- 26 nëntor, janë kontrolluar 2928 subjekte, ndërsa janë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor për 1499 prej tyre me një vlerë shkelje rreth 51.97 milionë lekë.

-19 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë). Gjithashtu janë bllokuar ambientet e tre tatimpaguesve për shkeljen e mosinstalimit të pajisjes fiskale (hera e dytë).

-73 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masat e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre si subjekt i TVSH-së.

-508 tatimpagues janë konstatuar me shkelje të moslëshimit të kuponit tatimor (hera e parë).

-69 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 82 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune.

-307 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor.

-193 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 176 subjekte janë të pergjegjësisë tatimore “biznes i vogël” dhe 17 subjekte jane të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh”.

Administrata Tatimore thotë se ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin dhe edukimin e tatimpaguesve për të rritur vetëdeklarimet, si dhe përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore. /a.y/noa.al