Transmetuar më 01-12-2018, 19:22

Një shqiptar është zbuluar nga autoritetet greke se ishte polic i rremë që bënte truprojën e kryeministrit Aleksis Cipras.

Shqiptari 28 vjeçar emri i të cilit nuk jepet nga policia, u arrestua sot dhe pritet të dalë para gjykatës, raporton noa.al duke cituar një komunikatë zyrtare që lëshoi policia e shtetit në Athinë.

Rasti u zbulua rastësisht nga një polic i cili kishte konstatuar se në Kifisia ku ndodhej kryeministri, në grupin e shoqërimit të truprojave gjendej edhe 28 vjeçari i cili nuk rezultonte në të kaluarën e afërt të ishte pjesë e ekipit te truprojave.

Pasi thirri policë të tjerë, e thirrën 28 vjeçarin për ta pyetur. Ai u tha se ishte punonjës i policisë greke dhe kishte kaluar me ekipin e ruajtjes së kryeministrit. 

Kur i kërkuan një mjet që të vërtetonte deklarimin, shqiptari u dha një kartë të rregullt policie.

Forcat e policisë nuk u bindën dhe e morën 28 vjeçarin shqiptar në drejtorinë policore. 

Atje vërtetuan se karta ishte e rregullt por ishte deklaruar e humbur që në vitin 2016, nga një oficer i policisë së Athinës. 

Menjëherë 28 vjeçari u arrestua. Nga kontrolli fizik iu gjet dhe një pistoletë e rreme.

Në banesën e tij u ushtrua kontroll i imët dhe u gjetën çelësat e një automjeti Jeep luksoz, si dhe çelësat e një makinë tjetër luksoze tip kabriolet.

Po ashtu u gjet një tjetër kartë policie si dhe foto te 28 vjeçarit me uniformë policie.

Policia sekuestroi dhe kompjuterin e telefonin celular.

Ajo tha se po përpiqet të zbardhë si arriti të futet në ekipin që ruan kryeministrin dhe shkaqet pse e bëri këtë i riu shqiptar. /noa.al/