Transmetuar më 03-12-2018, 20:06

Pas debateve të forta brenda vetë mazhorancës sa i përket buxhetit të vitit 2019, ministri i Financave Arben Ahmetaj doli në konferencë për mediat për të bërë të ditur se me paketën e re fiskale ndihma ekonomike për familjet në nevojë do të rritet deri në 80 mijë lekë.

“Rritja e mbështetjes shkon maksimale në 80 mijë lekë të vjetra. Patjetër që është e pamjaftueshme, skema e ndihmës është kalimtare.

Mos harroni se dikur në 2012 në vitin e gropës më të thellë të varfërisë kjo shkonte në 60 mijë lekë të vjetra”, tha Ahmetaj.

Duke iu referuar edhe raportit të Bankës Botërore, kreu i financave nënvizoi se buxheti është fokusuar te politikat sociale.

“Po i referohemi gjithmonë raportit të Bankës Botërore. Buxheti ashtu si buxhetet e fundit është fokusuar tek politikat sociale.

Diçka më shumë se 50 për qind shkon tek paketa sociale, ndërsa nuk duhet të harrojmë një gjë e cila është futja në rimbursimin e shqiptarëve, rreth 6oo mijë shqiptarë me rimbursim”, tha Ahmetaj. /k.k/noa.al/