Transmetuar më 06-12-2018, 08:19

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të enjte me një video, ku jep detaje lidhur me sektorët që përfitojnë rritje pagash gjatë vitit që vjen.

“Me këtë videoinformacion për rritjen e pagave të mbi 60 mijë punonjësve me Buxhetin e vitit 2019, ju uroj një ditë të mbarë. E gjithë vëmendja për ju”, shkruan Rama.

Në video bëhet me dije se buxheti 2019 do të financojë mbi 2 miliardë lekë për rritjen e pagave për mbi 60 mijë të punësuar.

1 miliardë lekë shkojnë për rritjen e pagave në shëndetësi, ku përfitojnë 4650 mjekë rritje page mesatarisht prej 7%. Nga ku përfitojnë 13765 infermierë, laborantë dhe ndihmës mjekë.

1.37 miliardë lekë shkojnë për rritjen e pagave në arsim me rreth 7%, ku përfitojnë 35873 mësues e staf mësimor të arsimit parauniversitar.

Më tej thuhet se fondet për pagat e edukatorëve do të rriten me 9.1% në krahasim me vitin 2018 dhe do të punësohen 438 edukatorë më shumë se në vitin 2018, në 32 bashki.

Në sektorin e mbrojtjes përfitojnë rritje page nga 10% deri në 19%, mbi 68 mijë ushtarakë aktiv.

Mbi 177 milionë lekë shkojnë për rritje pagash në sistemin penitenciar, përfitojnë rritje page rreth 7%, 3559 policë të burgjeve.

Mbi 120 milionë lekë shkojnë për rritjen e pagave të diplomatëve, ku përfitojnë rritje page mesatarisht 20%, rreth 308 punonjës të përfaqësive diplomatike. /a.y/noa.al