Transmetuar më 06-12-2018, 21:45

Studentët e Universiteteve publike në vend, kanë zhvilluar sot ditën e dytë të protestës së tyre.

Studentëve të Tiranës iu bashkuan edhe ata të rretheve, të Korçës, Durrësit dhe Elbasanit, duke u bërë bashkë në kërkesat e tyre.

Të rinjtë kërkojnë përgjysmim të tarifave vjetore si dhe heqjen e tarifave shtesë.

Altin Gjeta është një i ri që studion në universitetin Westminster të Britanisë së Madhe, për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politike.

Teksa mbështet dhe shprehet pro protestës së studentëve në Shqipëri, ai ka rrëfyer për noa.al, privilegjet që gëzon ai me kartën e studentit në Britaninë e Madhe.

"Karta e studentit më mundëson 30% ulje çmimi në përdorimin e transportit, akses në librari, ulje në dyqane për mallra specifikë, akses në muzeume dhe evente për studentët", shprehet studenti Altin Gjeta.

Ai vijon më tej duke thënë për noa.al.

"Biblioteka është e hapur 12 orë dhe disa ditë në javë 24 orë. Kam akses online 24 orë në qindra-mijëra artikuj akademikë, libra, raporte dhe gazeta. Gjithçka është e kataloguar online. Universiteti ofron akses të laboratorëve kompjuterikë, mund të marrësh në perdorim laptop nëse nuk ke. Gjithashtu çdo person me aftësi të kufizuara ka akses në çdo shërbim të universitetit. Pra, studentët nuk kanë të drejtë. Ata kanë absolutisht të drejtë".

Ai gjithashtu shprehet se kërkesat e studentëve janë minimaliste dhe se sipas tij studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për lëmoshë, por sistem universitar me standarte.

"Studentët duhet të shtrojnë kërkesa politike me qëllim e vetëm shembjen e sistemit të kalbur politik që ka prodhuar këtë gjendje mbytëse për rininë dhe gjithë Shqipërinë", shprehet ai.

Sipas tij studentët gjithashtu duhet të kërkojnë:

-Dorëheqjen e parevokueshme të qeverisë.

-Qeveri teknike me mandat të qartë ( abrogimin e ligjit të Institucionit për Arsimin e Lartë, rikthimin e sistemit të drejtësisë ne funksion dhe baza kushtetuese, reforme zgjedhore, luftë të vërtetë ndaj korrupsionit dhe krimit).

-Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda një afati të arsyeshëm nën monitorim ndërkombetar./a.k/noa.al/