Transmetuar më 07-12-2018, 07:31

Shqipëria e ka të nënfinancuar sektorin e arsimit nga arka publike, në raport me vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, por edhe me vendet e rajonit.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme shpenzuam për arsimin mbi 4% të PBB-së gjatë kësaj dekade, ndërsa Shqipëria sistematikisht i ka mbajtur nën 3.4% financimet për sektorin e edukimit.

Në vitin 2017, Shqipëria u rendit e fundit në rajon për shpenzimet dedikuar arsimit. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria shpenzoi 3.1% të sipas statistikave të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, teksa vendet e tjera ky tregues është në intervalin 4-4.5%.

Shpenzime më të larta për arsimin në raport me PBB bëri Mali i Zi (4.5%), Maqedonia (3.95%), Kosova (4.6%), Serbia (3.9%).

Siç shihet nga të dhënat, shpenzimet për arsimin krahasuar me PBB-në i ka më të larta Kosova, për shkak se ka një popullsi më të madhe në moshë arsimi që ndjek sistemet shkollore.

Në një vlerësim të posaçëm për çështjet e arsimore në rajon, Forumi i Ballkanit vlerësoi së fundmi se “Arsimi në Ballkan mbetet një sektor me rrezik të lartë për korrupsion dhe ndikim në politika”.

Me gjithë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, rajoni nuk ka bërë para në çështjet e edukimit, teksa Shqipëria ka renditjen më të dobët në të gjithë treguesit e performancës në sektor, shkruan ‘monitor’.

Infrastruktura e sektorit të arsimit në Shqipëri mbetet shumë e dobët dhe nuk po bëhet para për zhvillime në sektorin e Teknologjisë dhe iInformacionit dhe Komunikimit (TIK) në nivel kombëtar.

Burimet njerëzore në sektor ende sfidohen nga mungesa e statusit së arsimtarit, pagat e ulëta, mungesa e autonomisë dhe aftësitë e mangëta.

Teksa modeli arsimor vijon të jetë nën presionin e politikave afatshkurtra, ku kurrikulat ndryshojnë vazhdimisht me ndryshimin e ministrave.

Por megjithatë në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, financimi në arsim mbetet shumë i ulët, pavarësisht nga aspiratat për të arritur nivelet e BE.

Braktisja e shkollave vazhdimisht për shkak të varfërisë, infrastrukturës dhe arsyeve lokale është një faktor i rëndësishëm në të gjitha vendet.

Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se në themel të dobësive të sistemit arsimor në vend qëndron mungesa e financimeve dhe vizionit. Ai tha se vendet që kanë tentuar të sjellin arsimin e tyre në një nivel tjetër për një dekadë rresht kanë investuar 5% të PBB-së. Ish-ministri u shpreh se duhen stimuluar, nëpërmjet bursave, degët e mësuesisë, në mënyrë që të përthithen studentë të mirë dhe më tej duhet të bëhet një lidhje më e fortë mes shkollës së lartë të mësuesisë dhe praktikës mësimore. Tafaj tha se po nuk u bënë këto ndërhyrje, Shqipëria nuk do të jetë konkurruese as me rajonin.