Transmetuar më 07-12-2018, 13:04

Presidenti i Ilir Meta dekoron peshëngritësin Briken Calja me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Ky titull u dha me motivacionin “Për rezultatet e shkëlqyera si ‘Kampion i Europës’ në sportin e Peshëngritjes, duke shpalosur vlera të larta të një sportisti të talentuar; i suksesshëm në arenën kombëtare e ndërkombëtare”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar autoriteteve vendore, sportistëve, kolegëve, familjarëve dhe miqve të kampionit shqiptar, gjatë një ceremonie solemne të organizuar në Shtërmen, vendlindjen e peshëngritësit, Presidenti tha se Brikeni u shpall kampioni më i ri i Europës në peshëngritje, pasi shkëlqeu në turneun e Bukureshtit.

“Tre medalje të arta erdhën vetëm nga sportisti ynë, kampion i trefishtë kontinental dhe rezultat historik për vendin tonë. Peshëngritësi nga Shtërmeni që mban titullin Kampion i Europës ka një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për rezultatet e larta sportive, si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar, por mbi të gjitha ka vlera dhe merita të paçmuara në lartësimin e identitetit dhe promovimin e imazhit tonë kombëtar”, u shpreh Meta.

Ai tha se Briken Calja, tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm në plejadën e sportistëve më të talentuar dhe më të suksesshëm të vendit tonë.

Sipas tij, shembulli i punës dhe suksesit të Briken Caljes është një burim frymëzimi, sidomos për të rinjtë e sotëm. /a.y/noa.al