Transmetuar më 07-12-2018, 17:29

Edhe këtë pasdite të kësaj të premtë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu bashkua sërish sot protestës së banorëve të Astirit kundër shembjes së shtëpive të tyre nga projekti i Unazës së Re.

Pasi Prokuroria nisi hetimet lidhur me tenderin për këtë projekt, lideri demokrat tha se një gjë të tillë PD e ka paralajmëruar që prej dy muajsh se ishte një projekt vjedhjeje e jo zhvillimi. Ai tha se kryeministri Rama e ka humbur davanë prej protestave.

“Ka më shumë se 2 muaj që ky është projekt vjedhjeje, jo zhvillimi. Është projekt vjedhje, e dinim ne, e dinë dhe banorët, e dinin dhe gazetarët dhe tani ka dalë haptazi para syve të të gjithë botës. Është projekt vjedhjeje dhe pastrimi parash. Për të marrë këto para do shkatërronin shtëpitë e banorëve”, u shpreh Basha.

Më tej kryedemokrati tha se “Këta banorë qëndruan ditë e natë këtu, dhe u përballën. Rama e Veliaj i quajtën shpellarë, të pasur me nga 4-5 shtëpi, arrestuan djem e vajza dhe i çuan në qeli, i mbytën me propagandë kundër të gjithëve që i kundërshtonin. E kanë humbur davanë, tani kanë frikën e karriges. Është ulur Rama kokë më kokë me bandën e hajdutëve për të vendosur si do vjedhin këtu. Gjithë këto vjedhje. Nuk ja dolën dot, se banorët qëndruan. Banorët e bashkuar përcaktuan triumfin e të vërtetës”, shtoi Basha.

Ndërsa lidhur me protestën e studentëve Basha tha se për 48 orë, studentët arritën të fusnin Edi Ramën poshtë minderit.

“Shikoni studentët, për 48 orë e kanë futur Edi Ramën poshtë minderit. E patë si ishte bërë apo jo? Por beteja nuk ka përfunduar. E vërteta triumfoi sepse banorët e Unazës së Re i kanë treguar gjithë shqiptarëve një mësim të madh se po të jemi të bashkuar e zmbrapsim bandën e hajdutëve, sado gangsterë, policë dhe media të blera, populli do t’i zmbrapsë.. U bëj thirrje prindërve të këtyre studentëve që mos i lini vetëm. Edhe ata janë ngritur kundër grabitjes. Zgjidhja politike është ngritja dhe bashkimi i qytetarëve për të shembur këtë sistem që nuk ka asnjë lidhje as me demokracinë dhe as me ekonominë e tregut”, përfundoi Basha./b.l/noa.al/