Transmetuar më 07-12-2018, 17:58

Brittany Johnson Webster mësoi që një festë në nder të saj do të mbahej në një shtëpi funerali, tre orë larg në Ferguson të Missurit.

21-vjeçarja nga Illinois i SHBA-së u shokua kur zbuloi se përkujtimorja që do të mbahej për të ishte “organizuar” nga vetë nëna e saj për të mbledhur para.

“Kishin vënë foto të miat në postera që shkruanin që unë të prehesha në paqe”, tha ajo për KSDK.

Nëna e saj identiteti i të cilës, ende nuk bëhet i ditur, pretendonte se Brittany u vra në një aksident automobilistik më 27 tetor dhe pranoi donacione për të organizuar përkujtimoren e saj.

“Brittany e mbylli historinë e saj në 27 tetor të 2018. Ajo u thirr që të takonte të gjithë kafshët e saj të dashura nga ana tjetër e ylberit”, ishin disa nga pjesët e shkruara në përkujtimore, shkruan Daily Mail.

“Isha e tronditur. Ishte e gjitha një shpërthim emocionesh”, u shpreh Brittany, e cila u rrit nga gjyshërit e saj. Ajo shtoi se ndihej e mërzitur nga veprimet e nënës së saj për faktin se vëllai i saj kishte pak kohë që kishte vdekur.

Brittany dyshoi se nëna e saj, e cila ka vuajtur nga varësia e drogës, ka dalë me komplotin për të mashtruar njerëzit për para. Shërbimi u financua nga donacionet dhe Brittany u kërkoi falje të gjithë atyre që u mashtruan.

‘Kërkoj falje për veprimet e saj. Është e turpshme, por ajo përfundoi duke ju mashtruar juve për disa para, "tha ajo./b.l/noa.al/