Transmetuar më 08-12-2018, 09:16

Dy tubime do të mbahen sot në rrethin e Gjirokastrës. I pari në Bularat për nder të Konstandinos Kacifas, i cili bën ceremoninë e 40-ave dhe i dyti në qytetin e Gjirokastrës.

Mësohet se policia e Gjirokastrës ka dhënë leje vetëm për zhvillim të një tubimi paqësor të “një grupi patriotësh”.

Organizatorët e këtij tubimi kanë kërkuar leje për zhvendosjen nga qendra muzeale e qytetit deri në hyrje të tij, në rrugën nacionale te “Ura e lumit”.

Nga ana tjetër polica e Gjirokastrës ka dhënë leje për organizimin e tubimit vetëm në “sheshin e Çerçizit” prej orës 11:00 deri në orën 13:00.

Pritet që nga Greqia të vijnë autobusë me ekstremistë në drejtim të Bularatit për të nderuar Kacifas, ndërsa bëhet me dije se rreth 300 persona, shtetas grekë janë kthyer nga policia shqiptare në Pikën Kufitare të Kakavijës.

Ndërkohë që ka pasur persona të tjerë që janë konsideruar të rrezikshëm nga policia e Kakavijës që janë marrë për verifikim nga Kakavija në Komisariat për të kontrolluar dokumentet.

Nga ana tjetër Policia ka marrë masa për të shmangur incidentet, duke qenë se sot do të zhvillohet edhe tubimi i “patriotëve shqiptarë” për bashkëkombësit që janë vrarë në javët e fundit në Greqi.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /b.l/noa.al/