Transmetuar më 08-12-2018, 11:10

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur tek të gjitha zhvillimet në vend gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar për nder të 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë së shpallur për nder të Lëvizjes Studentore të 1990.

Ai gjithashtu ka formuluar ultimatumin e opozitës për çlirimin e parlamentit nga krimi ose tha se në të kundërt do rrëzohet duke e përsëritur disa herë.

“Le të japim sot ultiumatumin politik si testament të Azem Hajdarit dhe dëshirë e aspiratë e cdo shqiptari: Parlamenti shqiptar, ose do të pastrohet nga krimi e ti kthehet qytetarëve ose do të rrëzohet, do të rrëzohet, do të rrëzohet.

Qeveria shqiptare i takon qytetarëve, ta clirojmë atë nga krimi, mes zgjedhjeve të lira, me votën e shqiptarëve ta kthjemë në shërbëtore dhe jo sunduese  e gjakpirëse të shqiptarëve”- tha Basha.

Më tej Basha u ka bërë apel prindërve dhe të afërmve të studentëve që protestojë sot. “Mos heshtni, mos kini frikë, mos i lini vetëm, ngrihuni dhe bashkohuni me ta kundër padrejtësisë, të keqes.

Mësimi i bashkimit të tyre është i qartë, e keqja sprapset, mposhtet sa herë që shqiptarët e ndershëm janë bashkë, të bashkohemi të gjithë për të pastruar vatrën e të keqes, për ti dhënë fund ekonomisë së kapur nga politikanet e korruptuar”- tha Basha.