Transmetuar më 08-12-2018, 19:05

Robert Aliaj ishte një nga pjesmarrësit në edicionin e 20 të “Kënga Magjike” ku pas një mungese të gjatë në muzikë, prezantoi këngën “Ah ku më hodhi Zoti”.

Ky projekt i tij u komentua për vetë faktin që më shumë ishte një përshtatje dhe një rikrijim i pozisë ikonike të Fan Nolit “Anës Lumenjve” e interpretuar me muzikë në sfond nga Aliaj.

E në prag të natës finale të festivalit e cila do të mbahet sonte, në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Roberti ka zbuluar që nuk do të jetë pjesë e natës finale, nisur nga votimi që është bërë sot nga artistët pjesmarrës.

‘Kjo këngë ishte mënyra më e bukur për të konfirmuar gjithë angazhimin tim. Ne jemi fajtorë që të gjithë për këtë kaos që është ndërtuar sot. Ti ke gjithë artistët të korruptuar sot për shumë pak. Kjo kënga ishte unike, me mesazh për kohën, nuk mund të injorohet.Nuk po deliroj, është një këngë që justifikon të qenurit një këngë, sepse kënga është fjala, teksti, forca. Ne kemi punuar tre vite për këtë këngë dhe vijmë e sfidohemi nga mbretëria e tallavasë.

Unë nuk jam artisti i Instagramit. I bëj thirrje artistëve që të lexojnë pak, të bëhen më të mençur sepse kjo muzika tallava po bën një popull tallava dhe po eklipson këtë këngë kapitale, gjithë kjo armatë xhihadistash të tallavasë kanë kontribuar për ta mposhtur këtë muzikë’, u shpreh i revoltuar Robert Aliaj Dragot.