Transmetuar më 09-12-2018, 09:29
Enkeleda Rexhepi

Një grua shtatzënë humbi tre fëmijët që priste të sillte në jetë, teksa ndodhej afro gjashtë muajshe shtatzënë.

Ngjarja e rëndë preku 31-vjeçaren nga Bulqiza, Enkeleda Rexhepi, e cila këtë të premte shkoi nga fshati Ostren ku jetonte, në spitalin e Bulqizës, ku nuk kishte as mjek gjinekologë dhe as sallë operimi.

Në pritje të mjekëve nga Tirana, tre fëmijët e saj gjetën vdekjen.

Gruaja për shkak të gjendjes së rëndë është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë dëshmisë së saj, Enkeleda ka thënë se i ka kryer rregullisht vizitat, edhe në Tiranë dhe mjekët nuk i kishin konstatuar asnjë anomali.

31-vjeçarja thotë se është tejet e mërzitur për humbjen e tre djemve të saj dhe as që e kishte menduar ndonjëherë se do të abortonte.

“Jam vizituar çdo dy javë dhe mjekët më thanë se ishte një shtatzëni normale. Një muaj më parë isha te materniteti “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Nuk u konstatua asnjë problem, veçse më thanë që pas një muaji të shkonte sërish”, tregon e reja.

Ajo thotë se duheshin edhe dy ditë që të shkonte për vizitën e radhës, por nuk ia doli, pasi problemet shëndetësore, bën që të përfundojë në spitalin e Bulqizës ku dhe lindi trenjakët e vdekur.

Sipas saj, mjekët nuk i jepnin shpresë dhe se pa arritur në muajin e shtatë, nuk kishte shanse që të vegjlit të jetonin.

Gruaja tha se dy nga djemtë jetuan rreth dy orë, ndërkohë që i treti vdiq qysh në barkun e saj. /a.y/noa.al