Transmetuar më 09-12-2018, 11:33

Ka patur momente tensioni te protesta e studentëve, të cilët ndodhen në ditën e pestë të protestës së tyre para ministrisë së Arsimit.

Gjithçka teksa pedagogu Jani Marka, ka tentuar të flasë duke marrë megafonin.

Por në këtë moment një grup studentësh janë sulur drejt tij me thirrjet “Ik, ik, ik”, duke e dëbuar.

Studentët e kanë akuzuar pedagogun se bën pjesë në organizatën “Lëvizja për Universitetin”, që sipas tyre është me orientim politik.

Nga ana e tij në një komunikim për mediat pedagogu Jani Marka tha se është në mbështetje të tyre.

“Doja të flisja për këtë dhunë të ushtruar ndaj nesh. Janë hedhur mbi ne sulme të jashtëzakonshme. Historia do të tregojë të vërtetën. Unë Jani Marka në dy zgjedhjet e fundit i kam bojkotuar. Ne na akuzojnë pse jemi organizata oolitike. Ne nuk protestojmë vetëm për studentët, por edhe për punëtorët. Minatorët. 44 minatorë kanë vdekur vitet e fundit. Ardit Gjoklaj djali që vdiq tek Sharra. Ne kemi protestuar tek Bashkia dhe ne na quajnë vegël të Erion Veliajt dhe të Soros. Ne nuk kemi vjedhur asnjë cent”, u shpreh Marka.

Ai shtoi se u dhunuar sot pasi donte të fliste kundër dhunës. Pedagogu tha se ideatorë janë forumet partiake të cilat do të demaskohen.

Kërkesat e studentëve

-Përgjysmim i tarifës së studimit.

-Rritja nga 10 në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

-Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.

-Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.

-Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.

-Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. /a.y/noa.al