Transmetuar më 09-12-2018, 17:02

Studentët ndodhen në ditën e pestë të protestës së tyre, ku ndonëse e diel janë mbledhur sërish para ministrisë së Arsimit, me thirrje për ulje tarifash.

Ata shprehen të vendosur për të vijuar protestën, deri në momentin që të marrin zgjidhje kërkesat e tyre.

Duke u shprehur të vendosur për të qenë të bashkuar dhe pa ndikime politike, ata këmbëngulin në zgjidhje.

Në të kundërt paralajmërojnë se të martën do të mbahet protesta më masive e të gjithëve.

Në lidhje me protestën ka reaguar sërish kryeministri Edi Rama i cili, nëpërmjet një komunikimi publik në rrjetet sociale, shprehet se duhet një lëvizje e fortë dhe e bashkuar.

"Nuk dua që këta të shpërndahen duke marrë një fitore momentale. Ashtu si nuk dua të rrinë të mbledhur derisa të bien në kurthin e kazanit politik e mediatik. Duhet tentuar një strategji e përbashkët student-qeveri. Duhet një bashkim i domosdoshëm mes nesh i qeverisë studentëve dhe pedagogëve. Të bashkohemi kundër sistemit të korrupsionit, kulturës së falsifikimit dhe keqadministrimit terësor të universitetit. Studentët nuk e bëjnë dot pa qeverinë dhe qeveria nuk e bën dot pa ata. Për mua është gjëja më e lëhtë të bëj një manovër politike për të shuar protestën", u shpreh Rama./a.k/noa.al/