Transmetuar më 09-12-2018, 21:36

Studentët shprehen të palëkundur në vendimin tyre pavarësisht ftesës së kryeministrit Edi Rama për tu ulur dhe për të biseduar.

Nëpërmjet një komunikate për mediat, Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin shprehen se "nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se kryeministri dhe qeveria e tij janë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin e jetës universitare publike".

"Në vitin 2015 kanë miratuar një ligj të arsimit të lartë që bazohet në parimin klientelist: varfërim i universiteteve publike dhe shpërndarje e buxhetit të arsimit edhe për universitetet private. I njëjti ligj i ka dhënë qeverisë mundësinë të kontrollojë pothuajse të gjitha bordet e administrimit të universiteteve publike, duke rrënuar autonominë universitare. Siç ka ulur përqindjen e votës studentore nga 20% i ulët në 10% e papërfillshëm", thuhet në njoftimin e studentëve.

Sipas Lëvizjes për Universitetin, qeveria është në panik nga vrulli i ortekut studentor.

"Në panik nga vrulli i ortekut studentor, qeveria kërkon ta kthejë shënjestrën te burokratët dhe pedagogët e korruptuar. Si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin i kemi goditur këta të fundit në çdo rast. Por deri më sot abuzimet e tyre kanë qenë të pandëshkuara pikërisht prej mburojës që kanë gjetur te qeveria dhe strukturat e saj", thuhet në komunikatë.

Ata shprehen më tej se "ligji i arsimit të lartë ka vdekur dhe se Universitetet kanë nevojë të rithemelohen nga trupa e universitarëve – studentë e pedagogë – pa ndërhyrjen e qeverisë në asnjë fazë të procesit".

"Protesta e studentëve është autentike pikërisht se askush nuk ka tagrin t’i përfaqësojë. Ajo i tremb të gjitha partitë pikërisht se është e tillë. Prandaj studentët brohorasin njëzëri: “Jo negociata!”. Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin u bëjnë thirrje të gjithë studentëve që ta vazhdojmë protestën deri në dorëzimin e plotë dhe pa kushte të qeverisë. Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”-thuhet në komunikatë./a.k/noa.al/