Transmetuar më 10-12-2018, 09:17

Policia Rrugore e Tiranës, gjatë javës dhe fundjavës ka qenë prezent thuajse në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane të kryeqytetit, me shërbime të shtuara dhe me mjete në patrullim, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore që vijnë si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht nga drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit dhe shpejtësia mbi normat e lejuara.

Nga kontrollet policore, janë verifikuar shkelje flagrante të rregullave të qarkullimit, siç ishin nivelet e larta të alkoolit deri në 1.30 mg/l apo shpejtësitë deri në 170 km/h, që për kushtet e rrugës dhe lagështirën ky nivel alkooli dhe shpejtësitë e larta, janë një rrezik potencial, jo vetëm për drejtuesin e mjetit dhe pasagjerët që udhëtojnë me të, por për të gjithë përdoruesit e tjerë të rrugës.

Disa nga të dhënat dhe shkeljet kryesore të verifikuara gjatë fundjavës, janë:

-21 të arrestuar në kushtet e flagrancës, nga të cilët 16 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 3 drejtues motomjetesh të papajisur me leje drejtimi, si dhe dy drejtues mjetesh për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj funksionarëve që ushtrojnë funksione publike”.

-38 leje drejtimi të pezulluara për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

-56 leje drejtimi të pezulluara për shpejtësi mbi normat e lejuara.

-23 leje drejtimi te pezulluara, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

-440 masa administrative për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.

-156 masa administrative për mospërdorim të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve dhe çiklomotorrëve.

-70 mjete të ndaluara administrativisht për detyrime administrative të pashlyera.

-Si dhe janë vendosur, 2150 masa administrative për shkelje të tjera të ndryshme. /a.y/noa.al