Transmetuar më 10-12-2018, 11:12

Kryeministri Edi Rama, thotë se prej tre ditësh iu ka kërkuar studentëve që të ulen në diskutim dhe se kjo gjë nuk është bërë e mundur deri në këtë moment.

Në një komunikim live në Facebook, ai tha se është hera e parë në historinë e protestave, kur jo qeveria por protestuesit thonë se nuk duan të flasin.

“Besoj shumë fort se dialogu është i domosdoshëm dhe sidoqoftë do të vijoj të komunikoj dhe të përgjigjem dhe të shpjegoj se pse dialogu është rruga. Nuk kam kërkuar dhe qeveria nuk kërkon negociata, por dialog. Studentëve ju them se ka një dallim shumë të thjeshtë. Ne nuk kemi asnjë konflikt, sepse çka studentët kërkojnë, neve na gjen plotësisht dakord në kuptimin e nevojave, shqetësimit dhe domosdoshmërisë për një problematikë komplekse”, u shpreh Rama.

Ai e cilësoi si domosdoshmëri bisedimin, duke thënë se ka disa lista me kërkesa të ardhura nga rrugë të ndryshme proteste dhe të afishuara në rrjetet sociale.

Sipas tij, protesta organizohet për tu dëgjuar dhe kur qeveria thotë “hajde të flasim, ky është rasti i parë që protestuesit thonë jo”.

Rama shtoi se cili student i thotë prindit “kam këto kërkesa, ju mi plotësoni, ose ndryshe unë do i vë flakën shtëpisë”.

Në vijim ai tha se i vetmi rast që ka ndodhur refuzim si me studentët, është ai i Lulzim Bashës, kur u fut në çadër.

“Hajdeni të ulemi, bisedojmë, diskutojmë, jo plotëso kërkesat! Se si shkuan punët, s’ka nevojë të diskutojmë se e dini. Problemi ynë është se nuk na dëgjonte kurrë. Jemi vrarë në protesta se qeveria nuk ishte në gjendje të na dëgjonte”, deklaroi ndër të tjera Rama.

Ai iu drejtoi një pyetje studentëve “Është politike apo jo? Apo është orkestruar në mënyrë të tillë, që disa kanë vendosur edhe maska dhe thonë larg politikës. Nëse protesta është e atyre që dolën në momentin e parë për një arsye të drejtë se një dekan i papërgjegjshëm nxori njoftim se nuk do e paguajnë me këste tarifën po të gjithën, unë jam me ta! Atëherë ku qëndron problemi i tyre që nuk duan dialog. Dialogu është procesi ku palët dëgjojnë dhe dëgjohen. S’doni të dialogoni është e drejta juaj, rrini atje dhe mos ndaloni së protestuari”.

Rama iu kërkoi të mos e ndërpresin protestën, por se kërkesat e tyre duhet të dëgjohen.

Kryeministri tha se ka problem me tarifat, por se duhet diskutuar në themel dhe se kush tenton ta nxisë këtë protestë në rrugë të tjera, është i lirë ta provojë, por shtoi se askush nuk duhet të mendoj se qëllimet e përbashkëta mund të arrihen me ultimatume.

Në këtë drejtim, kreu i qeverisë tha se eksperienca demokratike nuk i njeh ultimatumet.

Ai shtoi se është me ata studentë që janë në shesh për veten e tyre, jo për Lulin dhe Monikën dhe se kush është aty për veten e tij, nuk ka nevojë as të zgjedhë forume, as përfaqësira dhe as të marrë përsipër të negociojë gjë, por duhet të bisedoj.

Lidhur me pedagogët që bëjnë thirrje ndaj qeverisë, shtoi se ata mendojnë se iu erdhi dita.

Po ashtu shtoi se është gati të dëgjojë klithmën e dhimbjes së tyre dhe se askush nuk mund ti japë leksione në Facebook apo në banaqe televizive. Rama deklaroi se tarifat nuk i vendos qeveria por universitetet dhe se qeveria vendos vetëm tavanin që të mos kapërcehen, ndërsa tha se është gati që të diskutohen.

Në këtë drejtim shtoi se tarifat keqmenaxhohen nga universitetet, por nuk vidhen.

Kërkesat e studentëve

1- Përgjysmim i tarifës së studimit

2- Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekrut dhe pritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.

3- Mbështetur në nenin 99, mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë, pika 2 kërkon që bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-ve dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët

4- Mbështetje e studentëve për kërkim shkencor

5- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor

6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të universiteteve

7- Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë

8- Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-2019. /a.y/noa.al Studentët dalin me ultimatum: Nëse kërkesat nuk plotësohen deri të martën, hyjmë në grevë urie