Transmetuar më 10-12-2018, 11:40

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Marrakesh, Marok për të adaptuar “Kompaktin Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”.

Duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres si dhe 150 krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrës, Presidenti Meta u shpreh se kompakti Global është rezultat i trendit gjithnjë në rritje të migrimit.

“Kompakti Global është përgjegjësi ndaj jetës dhe dinjitetit të njerëzve. Të gjitha vendet tona, qoftë ato të origjinës, të tranzitit apo të vendmbërritjes, preken nga migrimi. Dhe me përvojën që kemi pasur kemi mësuar se mund ta trajtojmë këtë dukuri vetëm në partneritet, sepse është një proces shumë i vështirë dhe kompleks”, u shpreh Meta.

Ai tha se bëhet fjalë për të drejtat e njeriut; ka të bëjë me menaxhimin e kufijve; ka të bëjë me kostot financiare; ka të bëjë me kohezionin social; me sovranitetin dhe kështu mund të vazhdoj pafund.

Meta tha se nuk duhet të lejohet që të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore.

Sipas tij, kompakti Global reflekton në masë të madhe këtë mendim, duke përfshirë objektivat dhe parimet e Kombeve të Bashkuara, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe traktatet përkatëse mbi refugjatët dhe emigrantët.

Meta tha se Shqipëria dhe migrimi nuk janë të panjohura për njëri-tjetrin, “Prandaj ne i kushtojmë rëndësi të veçantë kësaj çështjeje, duke mbetur plotësisht e angazhuar me angazhimet tona ndërkombëtare dhe duke u zotuar të respektojmë objektivat e Paktit Global të Kombeve të Bashkuara”. /a.y/noa.al