Transmetuar më 10-12-2018, 13:22

Prokuroria italiane e Catanias ka mbyllur hetimet për bandën e Habilajve, duke dhënë pretencën edhe për të pandehurit, për shkak të gjykimit të zhvilluar me procedurë të shkurtuar.

Mes tyre mediat italiane shkruajnë se është edhe Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri.

për të u kërkua dënimi më i lartë prej 18 vitesh e 8 muaj burg. Ndërsa ndodhet pas hekurave qysh prej fundit të vitit 2017, ai asistoi gjatë gjithë seancës së sotme në heshtje pas hekurave.

Ndërkohë jashtë sallës ishin me dhjetëra familjarë të tij dhe të të pandehurve të tjerë.

Për drejtësinë italiane, Moisi Habilaj cilësohet si organizatori dhe drejtuesi i një karteli të specializuar për trafikimin e marijuanës nga Shqipëria.

Ndërkohë për anëtarët e tjerë të bandës u kërkuan dënime më të ulëta.

Për Meridian Sulaj u kërkuan 12 vite e katër muaj burg, ndërsa për Fatmir Minaj lirimi i tij. Nazer Seiti, i konsideruar si financieri i grupit, rrezikon gjashtë bitme burg.

Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, banda e Habilajve, kishte mbrojtje në Shqipëri nga drejtues të policisë dhe trafikun e kryente nëpërmjet rrugëve detare.

Ndërkohë për Antonio Riela, prokuroria kërkoi 15 vite burg, ndërsa Angelo Busacca rrezikon tetë vite burg.

Gianluca Spampinato, rrezikon 10 vite e katër muaj burg, Gianluca Passavanti, katër vite dhe 20 mijë euro gjobë.

Ndërsa për William Patanè, Fabio Spampinato, Carmelo Bertolini, Enrico Maria Giaquinta, Massimiliano Brundo, Antonio Greco, Giuseppe Greco dhe Rosario Giuliano u kërkua dënimi me dy vite burg, katër muaj dhe 6 mijë euro gjobë.

Grupi kriminal u shkatërrua më 14 tetor të vitit 2017 dhe paralelisht me autoritetet italiane, nisën hetimet në Shqipëri edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. /a.y/noa.al