Transmetuar më 11-12-2018, 07:44
Arta Marku

Ditën e sotme pritet të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Mbledhja e prokurorëve për të zgjedhur listën e prokurorëve të KLP, do të zhvillohet në orën 09.00 në ambientet e një hoteli në Tiranë.

Një ditë më parë kryeprokurorja Arta Marku, e cilësoi të martën si një ditë të rëndësishme kur me votë, prokurorët do të zgjedhin anëtarët e KLP.

“Është dita ku ne do ti japim jetë Qeverisë së Re të sistemit prokurorial si ingranazh i rëndësishëm i makinerisë së madhe të reformës në drejtësi dhe që me krijimin e KLP hyn në fazën e zbatimit të plotë të saj. Ne sot kemi fatin që me pjesëmarrjen dhe votën tonë të hedhim të parët themelet i institucionit të parë të ri drejtësisë ndaj mos e humbni këtë shans për asnjë arsye”, thuhet në deklaratën e Markut për mediat.

Ajo shton se do i hapet rrugë, krijimit të SPAK-ut, zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat, ndaj fton prokurorët që t’u tregojnë të gjithëve, popullit që pret drejtësi, partnerëve që kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë në këtë rrugëtim të gjatë drejt ngritjes dhe konsolidimit të një drejtësie të re, se “ne jemi të përgjegjshëm, se ne duam t’i ngremë institucionet, i duam funksionale ato, e duam vendin tonë dhe integrimin e tij”.

Kështu ajo i fton të gjithë që të marrin pjesë në mbledhje, jo vetëm si një detyrim ligjor, por si shenjë e përgjegjësisë së lartë. /a.y/noa.al