Transmetuar më 11-12-2018, 08:10

Studentët në ditën e shtatë të protestës së tyre, kanë paralajmëruar një protestë masive gjatë ditës së sotme.

Të rinjtë do të mblidhen para fakulteteve të tyre, në orën 08.30, për të kulmuar para ministrisë së Arsimit.

Të rinjtë kanë paralajmëruar se ora 16.00 e ditës së sotme do të jetë afati i fundit që qeveria t’iu përgjigjet kërkesave të tyre.

Më tej ata kanë paralajmëruar përshkallëzimin e saj, madje edhe grevë urie, në rast se kërkesat nuk marrin zgjidhje.

Ndërkohë studentët kanë planifikuar që të bllokojnë disa rrugë kyçe për qarkullimin në kryeqytet.

Mes tyre pritet të bllokohet kryqëzimi i Piramidës me bulevardin kryesor, kryqëzimi i Farmacisë nr.10, rruga pranë stacionit të trenit, sheshi Wilson dhe kryqëzimi tek Zogu i Zi.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al