Transmetuar më 11-12-2018, 11:35

Rama në mesazhin e tij është përpjekur edhe të minimizojë potencialin e protestës, kur tha se “ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë” dhe shtoi: “Ju flisni dhe s’doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika”

Tiranë, NOA.al – Kryeministri Edi Rama doli sot me një mesazh për studentët protestues duke u kërkuar atyre që të futen në bisedime për të, pasi siç tha, ka edhe ai tetë pika dhe më shumë për t’u parashtruar atyre.

Rama tha se është gati të takohet me 140 përfaqësues të protestës studentore, edhe në selinë e seancave plenare të Parlamentit:

“Mbase "tryeza e qeverisë" është një term që e kufizon imagjinatën, po fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar. Ju 140 plus tërë karriget e ministrave me 8 pikat tuaja dhe unë përballë jush, me 8+ pikat e mia”, – shtoi z.Rama.

Për kryeministrin, kjo s’është një lojë force, as një lojë kungulleshkash dhe as një lojë e ka kush e ka.

“Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin”, – ftoi z.Rama.

Nëse kjo nuk ndodh, për Ramën “do të ishte hera e parë në historinë e protestave në botë, që protestuesit kërkojnë nga qeveria plotësimin e disa kërkesave dhe s’duan të ulen në tryezë me qeverinë që u thotë hajdeni t’i plotësojmë!”

Në vijim të mesazhit, z.Rama lëshoi dhe një paralajmërim: “‪Kujdes nga kushdo që ju mëson t’u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkërisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim?”

Rama në mesazhin e tij është përpjekur edhe të minimizojë potencialin e protestës, kur tha se “ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë” dhe shtoi: “Ju flisni dhe s’doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika”.

Në mesazh, Rama thotë se “në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi”.

Rama përjashtoi zgjidhjen e këtyre çështjeve që ngre protesta, kur tha se “kjo nuk bëhet si gjëegjëzë në distancë, po si produkt i punës së përbashkët me laps e me letër”. /noa.al/