Transmetuar më 11-12-2018, 14:43

Bashkëshortja e princit Harry të Anglisë, dukesha e Sussex, Meghan Markle, mbrëmjen e kësaj të hëne u paraqit në ‘Royal Albert Hall’ në Londrës, për mbrëmjen gala ku vlerësohen personalitetet e kompanive dhe bizneseve që kanë ndikuar në industrinë e modës gjatë 12 muajve të fundit.

Teksa u ngjit në skenën e ‘British Fashion Awards’, ajo u shfaq me flokët e mbledhur dhe me një fustan të zi, me anë të së cilit dukej barku i rrumbullakosur.

Në mungesë të Harryt në krahë, dukesha buzëqeshi në skenë, teksa mbajti një fjalim të rastit.

“Jam e lumtur që jam këtu, në shtëpinë time të re, Anglinë. Është kaq bukur të shohësh kaq shumë fytyra miqësore. Shumë prej tyre i njoh prej pak kohësh, por me shumë prej tyre jam mike prej vitesh”, tha në fjalën e saj ish-aktorja amerikane, shkruan noa.al.

Më tej ajo shtoi se, “Edhe moda është një mënyrë për të shfaqur përgjegjësi gjithnjë e më shumë mes femrave”.

Me këtë rast, ajo nuk ngurroi që të përkëdhelte barkun e rrumbullakosur, teksa në muajin prill pritet të bëhet nënë për herë të parë. /a.y/noa.al