Transmetuar më 11-12-2018, 15:11

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale për protestën e studentëve, ndërsa ka sulmuar ashpër Gent Strazimirin, që sipas tij, ky i fundit ka urdhëruar arrestimin e studentëve që kundërshtojnë militantët e PD-së.

“Interesant! Kadri Strazimiri(ai i kobures tek lodrat e liqenit) kërkon arrestimin e studentëve që s’duan militantët e PD në protestë, e u adreson fyerje lumë pse përzënë “të vobektit” që u çon Kadri Kamza për tarifat e shkencës. Qimet i kanë lënë po zakoni u del veç me shpirtin”, shkruan Rama në Twitter.

Nga ana e tyre studentët shprehen të vendosur për ti shkuar deri në fund betejës së tyre, ndërsa shprehen gati për përshkallëzimin e protestës.

Kjo pasi ora 16.00 është afati i fundit që të rinjtë i kanë vendosur qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Bashkë me studentët e universiteteve publike të Tiranës, në protestën e sotme janë bashkuar edhe ata të rretheve, të cilët njëzëri përsërisin kërkesat e tyre. Po ashtu me të rinjtë protestues janë bashkuar edhe gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë.

Teksa afatit fundor të vendosur ndaj qeverisë po i vjen fundi, studentët kanë paralajmëruar se janë gati të futen në grevë urie./b.l/noa.al/