Transmetuar më 11-12-2018, 19:01

Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe deputetja demokrate, Grida Duma, në një komunikim me mesazhe mes tyre dhe një grupi koordinimi të Partisë Demokratike, për protestat, shihen të planifikojnë përpjekje për të ndalur kryeministrin Edi Rama që të shkojë sonte në një emision televiziv.

Kryeministri ka planifikuar që të jetë mbrëmjen e sotme ora 22.00 në Top Channel tek emisioni “Top Show” i Alban Dudushit për të folur mbi protestat që kanë përfshirë vendin.

Siç shihni foton e shkëputur nga komunikimi në grup, Grida Duma shkruan: “Në vëmendjen tuaj, të keni porosinë që të mbahet sa më gjatë Zogu i Zi, që të mos shkojë njeri te Top Show”, – shkruan Duma, ndërkohë që një numër protestuesish kanë bllokuar këtë segment rrugor dhe ndodhen atje aktualisht.

Deputeti Flamur Noka miraton kërkesën e Dumës me një “ok”.

Reagon Top Channel

“Nëse ky screenshot i publikuar është i vërtetë, atëherë është i turpshëm. Megjithatë, Top Show është një forum i hapur (sonte në orën 22.00) për të gjithë ata studentë që duan të përfaqësojnë vetveten. Kanë të gjithë kohën në dispozicion për t’i thënë në sy kryeministrit, Edi Rama, gjithçka që ata mendojnë dhe ndjejnë në lëkuren e tyre në lidhje me gjendjen në universitete. Ftesa qëndron për një debat të hapur (e pamundur shterues) midis studentëve dhe kryeministrit të vendit”.

TRANSMETIM LIVE, PROTESTA E STUDENTËVE