Transmetuar më 11-12-2018, 21:07

Bashkohu rini. Bashkohuni. Mos ndiqni asnjë lajm mediatik. Ndiqni vetëm lajmëtarin e zemrës suaj sepse vetëm ai ka sy për të parë dhe veshë të dëgjojë, më shumë se asnjë tjetër në këtë botë

Nga ARLINDA ÇAUSHOLLI

Zëri dhe shpirti i protestës që filloi me Universitetin e Arkitekturës dhe u shtri me universitetet e tjera shqiptare, është zëri më i bukur që kam dëgjuar këto 28 vjet dhe shpirti më i ndritur që zgjoi shpresën e të gjithë shqiptarëve që kanë fjetur, që janë rrjepur, që janë trajtuar pa dinjitet, në pronë, në drejtësi, në zyra pushtetarësh, në arrogancë helmuese, në pensione qesharake, në taksa pa asnjë logjikë ekonomike dhe në spitale ku shërimi kthehet në sëmundje (pa përgjithësuar të devotshmit e çdo fushe).

Kjo është llava e një vullkani që ka kohë që zien tek të gjithë njerëzit, që punojnë me guxim në një vend ku ndershmëria ka dalë jashtë mode.

Është vala e nxehtë e pakënaqësisë shoqërore, e familjeve, ku ankesat e drobitjet e viteve të fundit u lakuan, u përvëluan disa herë, dhe veshi i rinisë i dëgjoi, i maturoi dhe i farkëtoi në një protestë historike, ku bashkimi është esenca kryesore.

Bashkohu rini. Bashkohuni. Mos ndiqni asnjë lajm mediatik. Ndiqni vetëm lajmëtarin e zemrës suaj sepse vetëm ai ka sy për të parë dhe veshë të dëgjojë, më shumë se asnjë tjetër në këtë botë.

Bashkim, sepse Shqipëria u përça gjatë gjithë këtyre viteve në malësorë, labë, veriorë, jugorë, katundarë, qytetarë, dhe fijet e të gjithave përçarjeve i kanë rrënjët në një dorë marionete që ne të gjithë e dallojmë, por asnjë nuk ka shpirtin revolucionar si tuajin, ta luftojë.

Lavdia e protestës rinore është sipërore ndaj dorës politike që Shqipërinë e bëri të pabanueshme, duke ndërtuar me dërrasa të kalbura një sistem jetese që mbolli dëshirën e braktisjes, dhe jo dashurinë për ta ndërtuar atë.

Nuk ka kauzë më të bukur se edukimi dhe trajtimi me dinjitet i një milionë studentëve dhe nxënësve që mbushin shtëpitë tona në të katër cepat e Shqipërisë, e që nesër do të jenë e gjithë Shqipëria.

Solidaritet. Takt. Urtësi. Dashuri. Entuziazëm. Nder. Tru.

Ju keni këngën më të bukur brenda vetes, ndërsa ne kurajën tonë për ju. Jua kemi borxh.