Transmetuar më 12-12-2018, 09:05

Një operacion policor i koduar “Monedhë e garantuar”, ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, të cilët mbanin dhe vinin në përdorim kartëmonedha të falsifikuara.

I arrestuari nga policia e Shkodrës, është L. R., 63 vjeç, banues në Tiranë, i cili u prangos gjatë kësaj të marte.

Arrestimi i tij u bë pas një hetimi disa mujor, ku u bë e mundur gjetja e 46 kartëmonedhave “Euro” me prerje 100-she të dyshuara të falsifikuara, të cilat iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe dy persona të tjerë, për të cilët për shkak të hetimeve nuk bëhen të ditur emrat.

Aktualisht vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kriminal.

Ndaj të dyshuarve dhe për ndjekje të mëtejshme të këtij rasti, materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”. /a.y/noa.al