Transmetuar më 12-12-2018, 10:37

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e studentëve të universiteteve publike, të cilët kanë dalë sërish në rrugë, një pjesë të ministria e Arsimit dhe një pjesë tjetër te Kryeministria.

“Të dashur studentë protestues, gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim.

8 pikat janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë vetëm së bashku, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë”, shkruan Rama.

Ai thotë se adresimi i tetë pikave duhet të nisë pa humbur kohë.

Rama deklaron se ka punë për të bërë dhe nëse studentët duan që uljen e tarifave ta mbyllin para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s’ka realisht minuta për të humbur “me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktoreshë Monës e të Profesor Lulit”.

Kryeministri e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se, “Unë jam gati dhe s’kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 pika”.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al