Transmetuar më 12-12-2018, 10:53

Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, reagon lidhur me procedimin penal ndaj 25 protestuesve, mes tyre këngëtari Robert Aliaj dhe profesori Edmond Tupja.

“Kryeministri injorant dhe i kompleksuar armik i elitës. Edmond Tupja dhe Robert Aliaj procedohen nga kryeministri injorant apo thënë ndryshe shkollëpak”, shkruan Vasili.

Ai thotë se Kryeministri i urren njerëzit që suksesin e ndërtojnë vetë me dijen, me talentin dhe aftësitë e tyre, kurse vetë i ndërton punët e tij me para të vjedhura “se është i paaftë në gjithçka”.

Personat e proceduar, për të cilët janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës janë, Edmond Tupe, Robert Aliaj, Altin Goxhaj, Mirela Ruko, Klodian Leka, Estela Nazarko, Xhuljano Bregasi, Henri Fero, Liri Guci, Gentian Doci, Malbor Duka, Nehbi Bushaj, Klajdi Bello, Redi Muci, Luan Myrtaj, Erdi Bërxulli, Agron Pepaj, Migen Qiraxhi, Bledar Hysa, Adriatik Lapaj, Nerid Shehu, Bislim Lakna, Gaetano Doci, Andrea Gjini (LSI) dhe Kristina Tonaj (FRPD).

Ata akuzohen se dje në orën 09:00, tek sheshi “Nënë Tereza”, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, e më pas në rrugën e “Durrësit”, përpara Ministrisë së Arsimit, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit. /a.y/noa.al

Protesta e studentëve, procedohet këngëtari i njohur dhe 24 të tjerë