Transmetuar më 12-12-2018, 12:26

Pak pas mesditës së djeshme, e martë, një person hyri në katedralen e Campinas, në shtetin e San Paolo në Brazil, duke hapur zjarr ndaj besimtarëve.

Katër persona gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Sakaq atentatori i dha fund jetës para altarit me një plumb në kokë.

Policia vendase bëri me dije se mes të plagosurve, një grua 65-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë dhe ndodhet në spital, ndërsa një grua 40 vjeçe, ju nënshtrua një operacioni.

Sakaq i plagosuri i tretë, ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Zona e katedrales Nossa Senhora do Carmo, u izolua e gjitha.

Autoritetet nuk e bëjnë me dije identitetin e agresorit, teksa nuk dihet ende motivi i masakrës.

Tragjedia vjen teksa në Brazil po diskutohet liberalizimi i mbajtjes së armëve, masë e propozuar nga Presidenti i zgjedhur Jair Bolsonaro, i cili merr detyrën më 1 janar. /a.y/noa.al