Transmetuar më 12-12-2018, 12:49

Kryeministria sqaron se lajmi për shkarkimin e përfaqësuesve të qeverisë në Bordet e Administrimit të Universiteteve dhe drejtorët e konvikteve, është i pavërtetë.

Kryeministri Edi Rama, deklaron se është në pritje të hapjes së dialogut me studentët, përpara hedhjes së hapave konkretë për 8 pikat dhe pikave të tjera të Paktit për Universitetin.

Kjo pasi më herët u tha se gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Kryeministri Edi Rama ka dalë me vendim, pas protestës që zgjat prej më se një jave prej studentëve.

Nga ana e tyre studentët mohojnë dialogun dhe negociatat, duke thënë se mjafton të plotësohen tetë kërkesat dhe zgjidhja është gjetur.

Më herët duke iu drejtuar studentëve, Rama tha, “Gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim. 8 pikat janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë vetëm së bashku, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë”.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al

Protesta e studentëve, Rama: Gjithçka na duhet, është të ulemi! S’kam asnjë kusht