Transmetuar më 12-12-2018, 16:30

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish studentëve përmes një statusi në rrjetet sociale.

Ai shkruan se vazhdon të mos jetë dakord me “kokëfortësinë” e studentëve, ndërsa e konsideron një tjetër ditë të humbur edhe këtë ditë të 8-të të protestës.

“Një tjetër ditë e humbur me arsyen e Mosarsyes: Kam kërkesa po s’dua të flas për to, prandaj m’i plotëso!”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë kapet gjithashtu edhe me kundërshtarët e tij politikë, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi.

“Kështu funksionon në Klinikën e Doktoreshë Monës, në Gjumin e Lul Artistit, në Megafonin e Profesor Qorrit, po jo në mësimet e demokracisë e të prindërve tuaj. Unë ju pres!”, përfundon Rama.

Ndërkohë, studentët nuk heqin dorë nga Lëvizja e tyre. Megjithëse ultimatumi i vënë ndaj qeverisë një ditë më parë nuk funksionoi dhe nga ana e ministrisë nuk ka përgjigje pozitive për 8 kërkesat e tyre, studentët janë ngritur sërish sot në protesta.

Ata janë mbledhur nga të gjitha fakultetet përpara Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit, një objektiv i qëllimtë i tyre duke kërkuar plotësimin e 8 kërkesave. Me thirrjet "Rezistenca nuk ndalet", studentët protestojne me fletë te bardha, libra, vuvuzela, dhe bilbila. /b.l/noa.al/