Transmetuar më 12-12-2018, 20:33

Pas ngritjes së dy prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor, ambasada amerikane ka përshëndetur këtë hap.

Përmes një reagimi, ky institucion e quan këtë hap si mjaft pozitiv për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë mirëpret krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ne përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë.

Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, e cila zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë”.

Duke i konsideruar KLGJ dhe KLP si dy shtylla të sistemit të drejtësisë, ambasada nënvizon se “ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të mundësojë tani krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Këto institucione të drejtësisë janë të gjithë gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë”.

Reagimi i Ambasadës mbyllet duke shprehur nevojën e vendit për të pasur një sistem drejtësie të pavarur.

“Aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të angazhuara në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë”. /k.k/noa.al/