Transmetuar më 13-12-2018, 10:00

Për të nëntën ditë me radhë studentët kanë dalë në rrugë për të protestuar, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Fillimisht të rinjtë janë mbledhur në fakultetet e tyre për tu nisur më tej në marshimin protestë drejt Parlamentit.

Me libra, Kushtetutë dhe pankarta në duar, studentët thërrasin në kor "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", "Ne nuk kemi frikë" etj.

Por krahas studentëve të Tiranës, protestës i janë bashkuar edhe ata të rretheve, ku nga Elbasani janë nisur autobus me të rinj, për tu bashkuar para Parlamentit.

Edhe nga rrethet e tjera, janë nisur të rinj për tu bërë bashkë para godinës, ku ditën e sotme mbahet seanca parlamentare.

Studentët nuk pranojnë dialogun e Kryeministrit Edi Rama, i cili nga ana e tij këmbëngul se pa dialog nuk do të merret asnjë hap për zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Ditën e sotme të rinjtë janë bërë bashkë, në dallim nga dita e djeshme, kur gjysma protestuan para Kryeministrisë e gjysma tjetër te ministria e Arsimit.

Sakaq godina e Parlamentit është rrethuar nga forca të shumta policie.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al