Transmetuar më 13-12-2018, 12:02

Një person i shpallur në kërkim për vrasje, është vënë në prangat e policisë së Durrësit.

Ai është Ervis Sinella 35 vjeç, banues në Kavajë. Arrestimi i tij, u bë pasditen e kësaj të mërkure, teksa më herët policia kishte publikuar edhe fotografinë e tij si person në kërkim.

Ai është dënuar nga Gjykata e Durrësit,vendim i lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë me 4 vite e 6 muaj burg.

Sinella është shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

35-vjeçari akuzohet se në 5 gusht të vitit 2009, në lagjen Nr.11 të Durrësit, për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri Emiljano Sulën.

Rreth orës 02.00 të mëngjesit të 5 gushtit, viktima Emiljano Sula së bashku me shokët Indit Sula, Sokol Gjoni dhe një tjetër i paidentifikuar kanë shkuar me makinën tip benz të viktimës tek lokali “Coco Bongo” përballë Prokurorisë Durrës ku kishte muzikë dhe balerina që kërcenin.

Administrator i lokalit ka qenë Fundim Dedja dhe shoku i tij Ervis Sinella.

Viktima ka kërcyer me njërën nga balerinat, me të cilën ka pasur njohje. Ai ka pirë sasi të madhe alkooli dhe ka kërcyer e ngacmonte me sms balerinën, e cila lajmëroi pronarin Fundim Dedja. Ky i fundit ka veçuar viktimën dhe i ka thënë të dilte.

Ata janë konfliktuar me fjalë e goditje dhe viktima ka dalë jashtë, ka shkuar tek mjeti benz dhe ka marrë një pistoletë dhe ka qëlluar drejt Fundim Dedja, Ervis Sinella dhe Mentor Himollit.

Këtyre gjuajtjeve i është përgjigjur me armë Sinella, ku për pasojë ka humbur jetën Emiljano Sula. Sinella është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën.

Sakaq në vendngjarje u gjetën katër gëzhoja të qitura nga pistoleta TT e viktimës dhe 7 gëzhoja të tjera që mendohet të jenë të armës së të dyshuarit. /a.y/noa.al