Transmetuar më 13-12-2018, 13:29

Deputetja demokrate Rudina Hajdari, vajza e të ndjerit Azem Hajdari, shkoi sot në seancën parlamentare, ku mbajti edhe një fjalim të shkurtër lidhur me protestën e studentëve.

Teksa vajtja e saj në Kuvend dhe fjala në foltore u përfol si thyerje e rregullit të PD, deputetja del me reagim.

“Nuk e theva unë rregullin, rregulli u thye që në 10 të mëngjesit, me ardhjen e opozitës në Kuvend. Unë thjesht bëra detyrën time”, shkruan Rudina.

Më herët në Kuvend u shfaqën edhe deputetët Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi, të cilët i hodhën në fytyrë Kryeministrit Edi Rama fletat me përmbajtjen e ligjit për arsimin e lartë.

Sakaq Rudina Hajdari tha paraditen e sotme nga foltorja e seancës se “Sot kam ardhur në Kuvend për një arsye të vetme, jo për t’iu drejtuar këtij parlamenti as për të marrë një llokmë të studentëve. Studentëve bravo u qoftë që po ndryshojnë historinë e këtij vendi. Kam ardhur këtu për t’iu thënë ju që rrini nëpër kafe, që asnjë nuk është në këtë seancë, këtu kushdo që foli është kryehajdut. Asnjë nuk e do këtë vend dhe as keni për ta dashur”.

Ajo propozoi se kush do ndryshime në vend, duhet të sjellë në seancë kodin zgjedhor dhe të mos mbajë lista të mbyllura.

“Silleni këtu ta votojmë dhe atëherë do të pastrojmë këtë parlament, do të pastrojmë këtë kastë politike dhe do ta ndryshojmë këtë vend. Doni ndryshim për studentët, ndryshoni auditoret, kapni ato pedagogët aty. Nëse e doni këtë vend mendoni seriozisht për vendin tuaj dhe mos hajdeni këtu të na bëni show politik se jemi të ngopur. Ky vend është ngopur. Studentët nuk dalin aty thjesht se duan ndryshime, ata janë të ngopur”, deklaroi Rudina. /a.y/noa.al