Transmetuar më 13-12-2018, 21:09

Në pamundësi për të përballuar shkollën, studentët sakrifikojnë duke bërë punë nga më të ndryshmet.

Një rast i tillë është edhe historia e kësaj studenteje të juridikut, e cila ka qenë e detyruar të punojë natën për të përballuar shpenzimet e shkollës, ndërsa ditën frekuentonte fakultetin.

Ajo thotë se ka qenë e detyruar të punojë, madje duke u ndjerë e paragjykur, por ishte e vetmja mundësi në kushtet kur familja nuk i përballonte dot shpenzimet.

"Unë kam bërë dicka që jam ndjerë e paragjykuar sepse jam edhe femër. Kam punuar natën, sepse ditën unë duhet të humbja shkollën dhe ditën e kam zëvendësuar me natën. Natën jam përballur edhe me rreziqe, jam përballur edhe me opinionin që punoj natën, në fakt e kam bërë për të përballuar tarifën, për të blerë librat dhe për të përballuar shpenzimet si studente", shprehet studentja për Ora News.

Ajo thotë se familja e saj mbahet vetëm nga një asistencë e babait. E pyetur nëse ndihet e frikësuar se mos babait i heqin asistenën për shkak se vajza ka dalë në protestë, studentja thotë se është e gatshme të sakrifikojë edhe ato të ardhura për një arsim më të mirë.

"Mua personalisht në familjen time mund të mi heqin asistencën sociale babit tim që është i trajtuar. Nëse babai im e humb asistencën vetëm për këtë arsye babai im do jetë shumë krenar që unë kam shkuar në shkollë duke punuar në mal dhe kam ardhur në Tiranë me lekët që kam mbledhur në mal duke mbledhur sherebelë dhe kam ardhur në Tiranë duke punuar natën", u shpreh ajo.