Transmetuar më 13-12-2018, 22:31

Ish kryeministri i Partisë Demokratike, Sali Berisha replikoi edhe me drejtuesin e emisionit “Top Show”, Alban Dudushin, në lidhje me të ftuarit në panelin e studentëve, gjatë përballjes me Ramën.

“Ti kishe ftuar FRESSH-istët për të dialoguar me Ramën. Kishe thirrur aty fansin e Taulant Ballës, kuratorin e tij të Facebook-ut. Ti duhet ta kishe nxjerrë Ramën jashtë nga studioja, kur iu hakërrye studentëve”, tha Berisha.

Vetë moderatori i “Top Show”, sqaroi për Berishën, por edhe për të gjithë publikun e gjerë, se si ishin përzgjedhur studentët në panel mbrëmjen e të martës, duke mohuar se ishin anëtarë të forumit rinor të partisë Socialiste.

“Një natë para emisionit, studentët u shfaqën të gatshëm për të ardhur, por më pas u stepën nga etiketimet e ndryshme. Gjithsesi në faqen e Top Channel aplikuan rreth 400 studentë për të marrë pjesë dhe stafi im bëri mbi 150 telefonata, për të përzgjedhur 90 personat e pranishëm atë natë. natyrisht që unë nuk mund të kontrolloja biografinë e gjithë-secilit prej tyre, ndaj mund të pranoj se derisa mund të kenë qenë pjesë e forumeve të cilësdo parti, por ajo që them me bindje, është se të gjithë ata ishin studentë dhe u përballën si të tillë me Ramën”, deklaroi Dudushi.